Identiteti i pa zbuluar
Libri: Identiteti i pa zbuluar
Autor: Kujtim Shala
Redaktor Eqrem Basha
Botoi: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës
Faqe: 338
Formati: 17×25 cm
Lloji: (Botime të veçanta, Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë. Libri 64)
ISBN 978-9951-26-000-8
Vepra e autorit Kujtim Shala, me titull “Identiteti i pa/zbuluar”, është vepër studimore në kuadër të fushës së studimeve letrare shqipe.
Kjo vepër kerkon prova identitare përmes kërkimeve historike e letrare të kombit tonë shqiptar.
Sipas Shalës, çdo vepër letrare është edhe identitare, prandaj kërkon që kjo vepër e tij, përpos si vepër kërkimore, letrare, të lexohet edhe si vepër identitare.
Shala i takon atij mendimi se identiteti fitohet, nuk është i lindur, pra identiteti i njeriut, i nacionit e i letërsisë formohet e trashëgohet, identiteti nuk është biologjik, por është kulturor.
Një nga elementet kyqe të një nacioni e që përmban në vete identitet, padyshim se është gjuha, ajo tregon autenticitet, kulturë dhe ka rol të rëndësishëm në psikën e një populli.
Por, çfarë roli ka gjuha në letërsi? A është e mjaftueshme gjuha që një vepër letrare të konsiderohet si pjesë e një letërsie të caktuar kombëtare? Këto janë pyetje tejet thelbësore të cilat i shtron e edhe i jep përgjigje ky libër, por jo medoemos përgjigje definitive, sepse problemi i identitetit është kërkim i vazhdueshëm dhe diskutimi për të nuk shterohet.
Kjo vepër kërkimet për identitet nuk i bën vetëm brenda letërsisë apo veprave letrare, kërkimet bëhen edhe në fushat tjera, siç janë historia, tradita, religjioni e politika, sepse të gjitha këto fenomene pashmangshëm ndikojnë edhe tek autorët e veprat e tyre letrare.
Nuk mund të mendohet e kuptohet vepra e Fishtës e Bogdanit nëse nuk kemi njohuri për religjionin, vepra e Barletit nëse nuk e njohim historinë, apo ajo e Sami Frashërit nëse nuk kemi parasysh politikën e historinë.
Barleti e provon fenomenin e ligjërimit të autentikes në gjuhë të tjetrit[1], ai merr temën e lavdishme autentike shqiptare dhe e shkruan atë në një gjuhë të huaj, siç është ajo latine. Pra, një temë autentike e shkruan me një gjuhë universale. Pas kësaj autori shtron pyetjen, se a e mbajnë temat Barletin autor tonin, apo gjuha e bën autor të latinitetit?[2] Barleti bëhet i yni për shkak të frymës së veprës së tij, dhe kjo na tregon se identiteti nuk vetëmjaftohet me gjuhën, identiteti është edhe frymë e ndjesi, e padyshim se vepra e Barletit përmban në vete identitet letrar e historik shqiptar.
























