Autori: Ethem Çeku
Duke e lexuar librin e Prof. E. Çekut, vërehet qartë erudicioni, stili i lehtë dhe i kuptueshëm për të gjithë i shkrimit, si dhe formulimi i saktë i gjykimeve shkencore.
Qartësia e problemeve të elaboruara në libër buron nga njohja e thellë e fushave që trajtohen në tekst si, historia, religjioni, kultura, diplomacia dhe nacionalizmi.
Autori në libër analizon thellë dhe shpjegon në detale marrëdhëniet shumë komplekse të shqiptarëve me Perandorinë Osmane, dhe këtë e bënë duke u mbështetur në burime dhe literaturë te begatshme.
Kompleksiviteti i raporteve shqiptaro-osmane, zbërthehet deri në imtësi falë pikëpamjeve dhe interpretimeve të reja që sjell puna hulumtuese e autorit. Libri nuk përmban paragjykime dhe prejudikime të zakonshme në fusha të tilla, por me forcën e argumentit shkencor dhe të interpretimit akademik i bën vend se vërtetës historike, shpesh të politizuar nga historiografia e popujve fqinjë të shqiptarëve.
Andaj bazuar në vlerën përmbajtjesore, libri, përveç si tekst me domosdoshmëri leximi, duhet të shërbejë edhe si një standard dhe model i ri për studimin e raporteve të popujve të Ballkanit me Perandorinë Osmane.