Autori – Carl Chinn
Shtëpia botuese: Artini
Në vitin 2013, seria e BBC2 Peaky Blinders fitoi audiencë mahnitëse nga skena e parë, kur Tommy Shelby nget në qytet si një bandit frikësues nga Perëndimi Amerikan. Gra të frikura largohen me vrik nga rruga e tij, fëmijë shfaqen pa zhurmë nga vendet e fshehura dhe gjithë ç’mund të dëgjohet është trokëllima e kalit të tij të garave. Me askënd mbrapa, kalëruesi ndalon. Por ai s’është në Perëndimin e Egër e s’është as qitës i zoti: ai është burrë i pushtetshëm në Birmighamin industrial të rrugicave më 1919. I veshur dallueshëm dhe me stil në një kostum trepjesësh dhe me një këmishë me jaka të forta por pa kravatë, ai ka një prani komanduese por prapëseprapë misterioze – një ndjenjë e lartësuar nga një kapelë e tipit të djaloshit që ia errësojnë sytë.
Pas një takimi të shkurtër me një burrë të respektuar kinez dhe një grua me fustan tradicional, Shelby nget ngadalë në melodinë e “Red Right Hand” nga Nick Cave dhe Bad Seeds. Me tingullin kërcëllitës, përplasës, që gjuan thuajse ndjenjën kërcënuese dhe ritmin hipnotik të stilit blues, fjalët e saj ankthuese duket se janë shkruar nergut për Tommy Shelby-n: “Ai është burrë, është fantazmë, është zot, është guru”. Teksa ai ecën rrugës përmes një ambienti të terratisur urban, me shtëllungat e avullit përreth, tymi lëshohet nga oxhaqet e fabrikave dhe atmosfera e errët goditet nga shpërthime flakësh prej një fonderie. Veteranë të paralizuar të Luftës së Madhe lypin lëmoshë, burra të tjerë pijnë dhe luajnë bixhoz me hedhjen e monedhave në ajër dhe dy policë me uniforma prekin helmetat me respekt ndaj “z. Shelby-t,” I cili vazhdon gjatë një rruge të ndarë midis fabrikave të vrugëta.
Realiteti i grupeve dallon pak a shumë nga ai i portretizuar në televizionet tona, ngaqë Peaky blinders-it e vërtetë ishin të palavdishëm dhe s’e meritonin respektin. Sado fajtorë që ishin, përgjithësisht, ishin figura madhore në Birminghamin e vonë viktorian dhe eduardian.
Të shpërfilluar a të përmendur shkarazi në studimet e qytetit, ç’është e vërteta, Peaky blinders dhe banditët prekën jetët e grupe njerëzish për një brez a më shumë, ndonëse negativisht, dhe zgjyrosën namin e Birminghamit. Veprimet e tyre lidhen pandashëm me qytetin dhe historinë e tij, si dhe të politikanëve të tij kryesorë dhe prodhuesve të mëdhenj.
Kjo pra është historia e mirëfilltë e Peaky Blinders.