Libri: Për shqipen standarde
Autor: Qemal Murati
Botoi: Instituti Albanologjik i Prishtinës
Formati: 14x20cm
Faqe: 318
ISBN: 9789951411738
Me këtë libër autori Qemal Murati ridëshmon këmbënguljen e studiuesit të pasionuar, provon pozicionimin e drejtë ndaj vlerave kombëtare dhe përshfaq aftësinë vrojtuese në trajtimin e problemeve të mprehta të gjuhësisë shqiptare. Me analizat e argumentuara, me dijet solide gjuhësore dhe me korrektësinë e studiuesit serioz, ai do të shtrojë tema e probleme gjuhësore me interes, ndër të cilat shquajnë ato për gjuhën standarde, në të vërtetë ato që na e rikonfirmojnë rëndësinë dhe vlefshmërinë e saj për shqiptarët. Me argumente të pakundërshtueshme, libri u jep përgjigje të mbështetura shkencore edhe diskutimeve që kontestojnë gjuhën standarde, të shfaqura më dendur së fundi në hapësirën tonë kulturore e të prira nga motive plotësisht joshkencore e joprofesionale.
Për stilin e qartë në shtrimin e problemeve, për trajtimin origjinal të përmbajtjeve gjuhësore, dhe për shembujt e shumtë që ilustrojnë një numër trajtesash që lidhen me komunikimin tonë të përditshëm formal e informal, libri që kemi në dorë do të tërheqë vëmendjen jo vetëm të studiuesve të gjuhës, por dhe të atyre që në njëfarë dore interesohen për problemet gjuhësore e për shqipen standarde në përgjithësi. Fjala është për një vepër në të cilën autori Lemal Murati, përmes metodës hulumtuese-shkencore, trajton probleme aktuale të gjuhës letrare dhe të shqipës standarde. Libri na shfaqet shumë kërkues në fushën e studimeve të sotme gjuhësore e në problematikën aktuale të shqipës standarde.